Botime & Tipografi - Studio Design

Botime të Reja

DOLI NE QARKULLIM LIBRI

"Të mësojmë së bashku gjuhën shqipe",

i autores Lumni Radovicka.

 

Ky libër është konceptuar dhe hartuar si "Metodë per mësimin e gjuhës shqipe për të huajt"

Botimi është nga më cilësorët në tregun shqiptar dhe preferohet shumë nga shtetasit e huaj apo studentët nga vende të ndryshme që studiojnë në Shqipëri.

Po kështu, ky libër është një zgjedhje perfekte për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë.

Bëjini një dhuratë të çmuar miqve tuaj të huaj, dashamirës të gjuhës shqipe!
Sugjerojani të afërmve tuaj emigrantë, që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën dhe drejtshkrimin shqip, shpejt dhe korrekt!

P a r a t h ë n i e

Ky tekst është fryt i një pune shumëvjeçare. Për hartimin e tij më ka dhënë dorë përvoja vetjake e mësimdhënies së gjuhës shqipe me studentë të huaj. Materialet e tij janë eksperimentuar në vitet e fundit me grupe dhe individë nga vende me kombësi joshqiptare dhe rezultatet kanë qenë mjaft të kënaqshme.

Materiali në këtë metodë është ndarë në 25 mësime, në të cilat janë dhënë dialogë e tekste, fjalë e shprehje të përdorshme në shqipen e sotme, shpjegime leksikore e frazeologjike, modele strukturash, si dhe ushtrime që kanë lidhje me to.

Përvoja në hartimin e të tilla metodave dhe në mësimdhënie për një kohë të gjatë më ka shërbyer për të zgjedhur dhe bashkërenditur materialin leksikor me njohuritë gramatikore, për të përqendruar vëmendjen në paraqitjen e strukturave gjuhësore në mënyrë sistematike, duke filluar nga më të thjeshtat për të arritur, hap pas hapi, në më të ndërlikuarat për njohjen, kuptimin dhe përvetësimin e funksioneve morfosintaksore të elementeve gjuhësore.

Nëpër mësime ka pak nocione teorike, por, në përgjithësi, është e tërë gramatika e gjuhës shqipe (me lakime, zgjedhime etj). Këto njohuri ndihmojnë anën praktike të të folurit shqip, qëllimin për të arritur komunikimin e qartë, të saktë e të kuptueshëm në jetën e përditshme me shqipfolësit. Njohuritë gramatikore të dhëna në këtë tekst synojnë të japin strukturën morfosintaksore të gjuhës shqipe në mënyrë të thjeshtë e të shkallëzuar, duke filluar nga trajtat e ndërtimet më të thjeshta, që përdoren në ligjërim. Është synuar që i huaji të njihet e të afrohet me normat e rëndësishme të gjuhës shqipe, si normat e shqiptimit letrar, normat e formimit të formave gramatikore të fjalëve, normat e ndërtimit të togfjalëshave, të frazave, të fjalive të thjeshta ose të përbëra.

Duke pretenduar këtë njohje, mund të arrihet formimi i shprehive gjuhësore për të përdorur mundësitë stilistike të pjesëve të ligjëratës dhe të ndërtimeve sintaksore, në të folur dhe në të shkruar.

Ky material është i larmishëm e funksional dhe mund të shërbejë si bazë për njohje më të thelluara në gjuhën shqipe.

Këtë tekst mësimor ua kushtoj gjithë të huajve, të cilëve ua kam mësuar gjuhën shqipe. I falënderoj dhe u jam mirënjohëse për të gjthë punën e bërë, për vullnetin dhe përkushtimin e tyre në përvetësimin e gjuhës shqipe.

Autorja

 

 

Contact

Asd-studio

asd_studio@yahoo.com

Rr. M. Grameno

069 84 90 504
068 20 77 680
066 21 77 680
04 23 42 303

Search site

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode